Rama merr në mbrojtje gazetarët: Nuk kanë asnjë faj kur nxjerrin sekrete hetimore

Tiranë – Po zhvillohet sot konferenca e VI-të Kombëtare Për të Drejtën e Informimit, bashkëorganizuar midis Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Konferenca mbledh bashkë në një tryezë diskutimi, autoritete publike, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile e do të shërbejë për t’u thelluar mbi rolin kritik të aksesit në informacion sipas parimeve të transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies.

Kryeministri Edi Rama duke folur në konferencë mori në mbrojtje gazetarët kur tha se ata nuk nxjerrin sekret hetimor sepse nuk i disponojnë sekretet hetimore.

Ai kritikoi prokurorinë për faktin se përndoqi penalisht disa gazetarë për nxjerrje të sekretit hetimor dhe tha:

“Sekretet hetimore i disponojnë prokurorët kështu që kur gazetarit i bie në dorë sekreti nuk është më detyrimi i tij të ruajë sekretin dhe nuk shkon drejt tij hetimi, por shkon drejt atyre që ia dhanë atij.

Kjo është elementare sepse që në Kanun shkruhet e zeza mbi të bardhë: “lajmësi nuk ka faj”, kush e prodhoi lajmin ose kush ia dha atij lajmin që ta çojë diku tjetër është burimi me të cilin ti duhet të merresh në rast se lajmi është një gënjeshtër apo në rast se lajmi nuk duhet të dilte, etj.”

Rama tha se çdo vendim qeverie, çdo vendim institucioni, çdo pjesë e dokumentacionit të çdo marrëveshje, të çdo marrëdhënie kontraktuale që nuk hyn në atë hapësirën e ngushtë të konfidencialitetit, duhet të jetë publike. /noa.al


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *